Eurocontrol ul sërish tarifat aeroportuale për Tiranën dhe Kukësin, ja sa do të paguhet
Tarifat e terminalit për aeroportet shqiptare do të jenë më të ulëta edhe në vitin 2026, si reflektim i rritjes së vazhdueshme të trafikut ajror.
Eurocontrol ka miratuar së fundmi tarifat e terminalit për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe Aeroportin e Kukësit, edhe pse ky i fundit aktualisht nuk ka fluturime aktive. Ky është viti i katërt radhazi që tarifat rishikohen në ulje, një zhvillim i lidhur drejtpërdrejt me rritjen e ndjeshme të volumit të fluturimeve drejt dhe nga Shqipëria.
Uljen më të madhe e përfiton Tirana
Sipas vendimit të Eurocontrol, për vitin 2026 tarifa e terminalit për Aeroportin e Tiranës do të jetë 191.71 euro për avion, nga 214 euro që ishte në vitin 2025. Kjo përkthehet në një ulje prej rreth 10.5 për qind, duke reduktuar kostot për kompanitë ajrore që operojnë në aeroportin kryesor të vendit.
Për Aeroportin e Kukësit, i kategorizuar si aeroport i zonës 2, tarifa e miratuar për vitin 2026 është 95.85 euro për avion, nga 107 euro që ishte një vit më parë.
Ulet edhe interesi për pagesat me vonesë
Një tjetër element që ka pësuar rënie është interesi për detyrimet e papaguara në kohë. Për vitin 2026, norma e interesit është vendosur në 12.38 për qind, nga 13.79 për qind që ishte gjatë vitit të kaluar.
Aktualisht Shqipëria ka dy aeroporte funksionale, ndërsa një i tretë është në ndërtim në Vlorë, me parashikimin që të nisë operimet gjatë verës. Megjithatë, përfundimi i punimeve mbetet ende i paqartë, për shkak të mungesës së një konfirmimi zyrtar të përditësuar.
Bumi i pasagjerëve dhe turizmit
Ulja e tarifave vjen në një kohë kur vendi po përjeton një rritje të fortë të trafikut ajror. Vetëm gjatë vitit 2025, Aeroporti i Tiranës u ka shërbyer rreth 10.1 milionë pasagjerëve, ndërsa deri në fund të dhjetorit Shqipëria priti mbi 12 milionë turistë.
Si funksionon tarifa e terminalit
Sipas shpjegimeve të Eurocontrol, tarifat e terminalit janë fatura mujore që dërgohen për fluturimet e realizuara në muajin paraardhës, së bashku me faturën e tarifës së itinerarit. Pagesa duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga data e faturimit.
Tarifa llogaritet mbi dy elemente kryesore: peshën e avionit që niset dhe njësinë e tarifës së aerodromit nga ku kryhet fluturimi. Shuma që paguhet për terminalin është rezultat i shumëzimit të këtyre dy faktorëve, ku pesha e avionit përllogaritet në ton metrikë.